Qeveria 5.5 milionë euro për makineri bujqësore

2015-08-21 1

Qeveria do të ndajë 5.5 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e fshatrave me blerjen e makinerive bujqësore si dhe në pastrimin e kanaleve që shfrytëzohen për ujitje. Ndarja e fondeve u njoftua nga zëdhënësi i Qeverisë Aleksandër Gjorgjiev i cili shtoi se paratë do t'u paguhen bujqve, pas blerjes së makinerive. Gjorgjiev theksoi se paratë do të shpërndahen në të gjitha komunat e vendit, pa dallim përbërjeje të popullsisë apo përkatësisë politike të kryetarit të komunës.
"Qeveria ka vendosur të ndajë 3 milion euro për bashkë-financim me qëllim blerjen e makinerive bujqësore. Në gusht do të paguhen 1 milion euro për 200 shfrytëzuesit të cilët tani kanë përfunduar me procesin e blerjes së makinerive, kurse 2 milion eurot e tjera do tu paguhen 334 shfrytëzuesve të tjerë pas përfundimit komplet të procesit të blerjes dhe dorëzimit të dokumentacionit. Qeveria ka vendosur të paguaj 2 milion euro me qëllim përkrahjen e fshatrave të Maqedonisë dhe këto mjete do të realizohen për 45 projekte në 37 komuna në të gjithë territorin e Maqedonisë. Do të realizohen projekte për ndërtimin e rrugëve të fshatrave jo më të gjata se 1 kilometër, rrugica për qasje më të lehtë tek tokat bujqësore, ndërtimin e urave nëpër fshatra si dhe rregullim të pjesëve qendrore të fshatrave", deklaroi Aleksandër Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.
Ndërkohë rreth subvencioneve në bujqësi, sot u shënuan edhe përplasje mes dy partive kryesore maqedonase. Ana Pavllova Daneva gjatë vizitës së karvanit të LSDM-së në Bogdanci dhe rrethinë tha se ajo dhe bashkë-partiakët e saj nuk kanë parë asgjë përveçse banorë të harruar nga pushteti qendror dhe ai lokal. Sipas Danevës .
"Qeveria ka harruar të investojë në këtë pjesë të vendit, në të gjitha sferat e jetës. Këtyre banorëve nuk u janë ofruar zgjidhje as nga pushteti qendror e as nga ai lokal, dhe me këtë rast ata kanë humbur shpresat për një ardhmëri të mirë".
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti iu kujtuan zyrtarëve të LSDM-së se gjatë këtij viti bujqit e vendit do të marrin 130 milion euro subvencione për dallim nga koha e qeverisjes së Cërvenkovskit kur bujqve nuk iu nda asnjë denar. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange