Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska ndryshon qëndrim për sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në dikasterin që ajo drejton. Në një vizitë gjatë trajnimit të kandidatëve të shumtë, në kuadër të konkursit më të fundit për police, Jankullovska tha se MPB e ka patjetër të reflektojë multietnicitetin në vend dhe me këtë, të ruaj parimet e Marrëveshjes së Ohrit (MO).
"Nuk ka arsye që dikush të shqetësohet për këtë aspekt pasi sipas asaj që unë mund të shoh nga numrat, qartësisht nuk ekziston asnjë hapësirë për shqetësim. Deri tani përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike kanë kaluar kontrollet. Përbërja e policisë ose përbërja e të punësuarve në MPB patjetër duhet të reflektojë përbërjen etnike të banorëve të Maqedonisë dhe nuk është rastësi që pikërisht në MPB mund të themi lirshëm se parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, edhe sipas përqindjeve por edhe sipas të gjitha parimeve, respektohet më së miri në krahasim me të gjitha institucionet e tjera. Unë i kam numrat por nuk mund që t'I përllogaris këtu menjëherë, megjithatë, shoh se ka më shumë se sa duhet nga të gjitha bashkësitë etnike të cilët më pas do të garojnë për përfaqësim të drejt në numrin final. Rikujtojmë që edhe më tej konkurrenca mbetet e fuqishme", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme,
Por 1 muaj më parë Jankullovska deklaroi hapur se përkatësia etnike e personave që do të pranohen në konkursin e ri për policë, nuk kishte rëndësi fare për të, përveç përmbushjes së kritereve nga të rinjtë.
"Konkursi i fundit për punësimin e policëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme do t'i respektojë të gjitha parimet për profesionalizëm dhe kompetencë. Përkatësisht, do të angazhohen ata persona të cilët do të arrijnë rezultatet më të mira gjatë testimeve që janë pjesë e konkursit dhe ligjit. Maqedonia është shtet multi-etnik, kështu që presim interesim nga të gjitha bashkësitë etnike, megjithatë edhe një herë dua ta përsërisë se ne, përforcimin e kapaciteteve të institucioneve, nuk e shohim si operacion matematikor",u shpreh kohë më parë Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Jankullovska këto komente i bëri sot gjatë vëzhgimit nga afër të kandidatëve që konkurrojnë në konkursin për police të shpallur nga MPB-ja. Ajo nuk e përjashtoi mundësinë që të rinjtë me shkathtësi më të mira të shpërndahen edhe nëpër njësitë speciale të MPB-së. Valmir Kuçi