Ministri aktual i vetëqeverisjes lokale, Nevzat Bejta nis fushatën parazgjedhore për kryetar të Komunës së Gostivarit. Ai sot njoftoi për kredinë prej 1 milion euro që ka ndarë Banka Botërore për komunën e Gostivarit, duke vënë theksin tek angazhimi i tij personal si ministër për sigurimin e këtyre parave, ndonëse për një gjë të tillë komuna ka aplikuar me projekte konkrete. Nga ana tjetër në kohën që një kredi të tillë kanë fituar 23 komuna të vendit respektivisht 3 shqiptare, ndër të cilat komuna e Çairit dhe e Dollnenit, Bejta me këtë rast foli vetëm për Komunën e Gostivarit.
"Unë si ministër jam i angazhuar që të përmirësoj jetën e qytetarëve në komunën e Gostivarit. Ndërsa sa u takon zgjedhjeve të radhës që janë në vitin 2013 për atë do të vendosin përsëri qytetarët e Komunës së Gostivarit se kush do të jetë në krye të kësaj komune dhe barometri kryesor për të dhënë vlerësim se kush si ka punuar nga gjithë kryetarët që kanë ardhur në krye të komunës Gostivarit janë qytetarët...ne jemi në pluralizëm dhe do të ketë konkurrentë, dhe nëse qytetarët kërkojnë që të jem një prej konkurrentëve unë do të jem", deklaroi Nevzat Bejta, Ministër i Vetëqeverisjes lokale.
Bejta gjithashtu njoftoi se janë siguruar edhe 30 milion euro të tjera në fazën e dytë për komunat të cilat do të konkurrojnë me projekte konkrete, ndërsa marrja e tyre do të varet nga angazhimi i kryetarëve të komunave dhe cilësisë së projekteve të tyre..
"Ato komuna të që do të kenë projekte të cilat janë më të domosdoshme për qytetarët, siç është komuna e Tetovës, që ka problem me ujin e pijshëm, dhe besoj se këshilltarët e Komunës së Tetovës bashkë me kryetarin e komunës kanë konkurruar në Ministrinë e Financave dhe do të jepet përgjigje pozitive për ti shfrytëzuar mjetet për ti përmirësuar rrjetin e ujit të pijshëm në Komunën e Tetovës, këtu nuk ka diskriminim, varet sa janë të angazhuar këshilltarët e komunave dhe kryetari i komunës", u shpreh Nevzat Bejta, Ministër i Vetëqeverisjes lokale.
Ndërkaq 1 milion eurot e ndara për Gostivarin, siç njoftoi ministri i vetëqeverisjes janë dedikuar për rikonstruktimin e ndriçimit rrugor në qytetin e Gostivari dhe 19 vendbanimeve të tjera, për mirëmbajtjen e higjienës së qytetit dhe për rezervuarin e ujësjellësit në fshatit Debresh. Semra Jakupi