Debatet mbikëqyrëse 'mollë sherri' mes Velanoskit dhe opozitës

2015-08-21 0

Ping pong politik rreth debateve mbikëqyrëse të iniciuara nga opozita maqedonase. Të njëjtat, sipas saj kushtëzohen nga ana e kreut të parlamentit me pjesëmarrjen e tyre në koordinimet e rregullta që Velanovski i mbanë çdo të hëne. Opozita ka akuzuar Velanoskin për obstruksione derisa ky i fundit u ka bërë edhe njëherë thirrje që të paraqiten në koordinime dhe bashkë t'i ndërmarrin hapat e mëtejmë përfshirë edhe debatet mbikëqyrëse.
"Dëshiroj të theksoj dhe të drejtoj apel, ndërsa këtë do ta bëj gjithnjë që partive politike në opozitë, gjegjësisht koordinatorëve se vendin e kanë në koordinimet e rregullta ku për shumë çështje merremi vesh dhe duhet të merremi vesh. Do të bëj thirrje që partitë politike në opozitë zbatimin selektiv të ligjit për kuvend ta lënë pas vetes. Nga ana ime do të kenë gjithnjë mbështetje kur ndonjë çështje është e ndërlidhur me përforcimin e pushtetit ligjvënës, por nuk lejojmë që debatet mbikëqyrëse të jen në funksion të mbështetjes së ndonjë mitingu apo të bllokimit të punës së Kuvendit", deklaroi Trajko Veljanovski, kryetar i parlamentit.
Për opozitën kjo edhe njëherë dëshmon mungesën e kapacitetit demokratik. Thonë se është i papranueshëm kushtëzimi dhe hedhin poshtë lidhshmërinë e mospjesëmarrjes në koordinime me mundësinë e caktimit të debateve mbikëqyrëse.
"Nuk mundet dhe nuk lejohet që pjesëmarrja apo mospjesëmarrja në koordinime të jetë më e rëndësishme nga kontrolli që shtëpia ligjvënëse duhet ta ketë ndaj funksionarëve qeveritarë. Nuk mundet asnjë takim koordinues të jetë mbi ligjin për kuvendin. Në fakt pikërisht Velanoski, në bazë të argumenteve të tija të zbrazëta nuk ka respektuar ligjin për kuvend dhe nuk ka propozuar marrëveshje për debatet mbikëqyrëse". Nuk do të luajmë 'ping pong' politik me kryetarin e Kuvendit, por e thërrasim që të del nga roli mbrojtës i pushtetit ekzekutiv. Nuk i pranojmë kushtëzimet nga ana e tij", u shpreh Oliver Spasovski, LSDM.
"Në pajtim me ligjin për kuvend, me firmën dhe kërkesën e 15 deputetëve deri te kryetari i kuvendit, ai është i obliguar që ta informoj kryetarin e komisionit përkatës që do të organizojë debatin mbikëqyrës, dhe debati mbikëqyrës në bazë të ligjit për kuvend patjetër duhet të mbahet. Mua më vjen keq që kryetari i Kuvendit nuk arriti të tejkalojë vetveten por vazhdon të sillet edhe më tej si ushtar i dëgjueshëm partiak", tha Goran Misovski, PRSD.
Ndryshe opozita ka paraparë mbajtjen e gjithsej 7 debateve mbikëqyrëse, pikërisht të komisioneve që udhëhiqen nga opozita dhe përmes të njëjtave do të kërkoj përgjigje në pyetjet se sa para u ka borxh qeveria firmave të ndryshme? Sa mjete janë harxhuar për projektin 'Shkupi 2014'? Pse qytetarët marrin shërbime shëndetësore katastrofale? Bedri Rexhallari