Reformat e ARM-së, të përfshihen në 'Librin e bardhë'

2015-08-21 0

Reformat e radhës në ARM do të fokusohen në zhvillimin e shkathtësive të reja operative me qëllim përmbushjen e kritereve kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe me qëllim të rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi gjatë një debati të organizuar rreth botimit të 'Librit të Bardhë' të Mbrojtjes së Maqedonisë që do të përmbaj pikërisht doktrinat e paraparë për reformat në armatë.
"Sot kryesisht debatuam dhe prezantuam draftin ku paraqesim vizionin se si Maqedonia në të ardhmen do të ketë një armatë e cila do të jetë plotësisht e përgatitur sipas standardeve të NATO-së në një periudhë afatmesme dhe afatgjate t'ju përgjigjet të gjitha sfidave dhe të jetë me kapacitete të barabarta si të gjitha armatat tjera që bëjnë pjesë në NATO si dhe në institucione tjera evropiane siç janë Kombet e Bashkuara dhe BE-ja në misionet paqeruajtëse, në emër të paqes ndërkombëtare që të japim kontributin tone", tha Fatmir Besimi, Ministër i Mbrojtjes.
Ndërkohë, shefi i ekipit këshillëdhënës të NATO-së në Shkup, Aleksandar Aleksandrov tha se kur bëhet fjalë për prezantimin e dokumenteve siç është 'Libri i Bardhë' i cili ka rëndësi strategjike, debatet dhe opinionet nga të gjithë ekspertët janë një mundësi që të shënohen rezultate e dëshiruara.
"Është e vërtet se ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes ka kryer një punë të madhe dhe më vije mirë që gjatë javës së kaluar projekti na u prezantua neve dhe të gjithë oficerët dhe këshilltar tanë tentuan të studiojnë çka është e mundur më detajisht të gjitha kaptinat", u shpreh Aleksandar Aleksandrov, përfaqësues i NATO-së.
'Libri i Bardhë' i Mbrojtjes së Maqedonisë publikohet pas shtatë viteve nga dokumenti i fundit i këtillë në vitin 2005 dhe për herë të parë do të përgatitet në mënyrë transparente me përfshirjen edhe të ekipit profesional. 'Libri i Bardhë' publikohet në fillim të ciklit të ri të transformimit të mbrojtjes dhe respekton parimin e transparencës së plotë me qëllim që të kuptohen më mirë ngjarjet aktuale, aktivitetet dhe pritjet të cilat burojnë nga realizimi i politikës mbrojtëse. Valmir Kuçi