Ademi: Gostivari në 2013 me ujë të pastër për pije

2015-08-21 9

Banorët e Gostivarit dhe rrethinës gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2013 do të kenë mundësi të konsumojnë ujë të pastër nga çezmat e tyre. Kështu u shpreh Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi gjatë vizitës që sot ia bëri stacionit të ri filtrues që po ndërtohet në Vrutok të Gostivarit. Ademi me këtë rast tha se deri më tani nuk ka asnjë pengesë në realizimin e punimeve duke shtuar se ky projekt po realizohet nga pushtetit qendror. Sipas Ademit, ndërtimi i stacionit të ri filtrues në Vrutok të Gostivarit kap vlerën prej rreth 2 milionë euro. Në këtë stacion filtrues është paraparë të montohen filtra mikro-fiber, përmes të cilëve do të sigurohet ujë i pastër për rreth 65 mijë banorë.
"Dua t'ju informojë që Qeveria ka ndarë 2 milion euro për ndërtimin e këtij projekti që përfshin edhe fazën e ndërtimit të objektit por edhe instalimin e teknologjisë për pastrimin e ujit të pijshëm për qytetin e Gostivarit dhe fshatrat përreth. Është zgjedhur ky lokacion me sugjerimin e ekspertëve pasi me vetë faktin se nga ky lokacion mund të përfshihen edhe vendbanime të tjera që nuk ishin të përfshira më herët me lokacionin e vjetër por tani më kjo është tejkaluar dhe shpresojmë se nëse shkon gjithçka me rregull edhe me punën edhe me pagesën por edhe me aktivitetet tjera, në pjesën e parë të vitit 2013 ky stacion i filtrimit të ujit të jetë i lëshuar në përdorim", deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Alsat-M