USHT premton, diploma javën e ardhshme!

2015-08-21 4

Me çështjen e mosdhënies së diplomave në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot është marrë edhe numri dy i Arsimit, Safet Neziri. Autoritetet e USHT-së i kanë deklaruar se arsyeja e mosdhënies së diplomave qëndron në mos-standardizimin e tyre dhe se të njëjtat, nga java e ardhshme do të fillojnë të jepen, dhe jo siç deklaruan për televizionin Alsat M, se diplomat jepen dhe se ky problem nuk ekziston në USHT.
"Sipas sqarimeve të tyre, është bërë ajo pjesa teknike organizative siç është pjesa e standardizimit të formularëve të diplomave, pamja, forma, përmbajtja, dizajni e kështu me radhë. Dhe informatat e fundit që I mora nga autoritetet e USHT-së, ata më premtuan se javën e ardhshme do jenë gati dhe do tu shpërndahen diplomat të gjithë studentëve që brenda kësaj periudhe nuk kanë arritur në kohë ti marrin diplomat", deklaroi Safet Neziri, zv/ ministër i arsimit.
Por kjo deklaratë e Nezirit, dëshmon qartë të kundërtën e asaj që pati thënë zëdhënësi i USHT-së, Sulejman Sulejmani. Ai para një jave në një deklaratë për Alsat M, pas ankesës së një prindi se djali i tij nuk mund t'i vazhdojë studimet pasuniversitare për shkak se nuk posedon diplomë, u shpreh se diplomat merren pa kurrfarë vonese.
"E para punës, kjo nuk ndodh. Procedurat për të marrë diplomë në USHT, zgjasin aq sa e parasheh ligji për arsim të lartë në Maqedoni. Mua më vjen keq për rastin në fjalë por nëse vlerëson se ka ankesa ka shkelje siç e vlerëson ai le të paraqitet në hapësirat e USHT-së, dhe problem mbyllet sa hap e mbyll sytë", deklaroi kohë më parë Selam Sulejmani, zëdhënës i USHT-së.
Nga ana tjetër, derisa nga USHT i premtojnë zv/ministrit të Arsimit se po përgatisin diplomat, personat të cilët me vite e kanë këtë hall,çështjen e tyre e kanë shtruar edhe para ndërkombëtarëve dhe institucioneve relevante në vend. Jakup Kamberi, i diplomuar para dy vitesh në këtë institucion, i është drejtuar sot ambasadave të huaja në vend, Avokatit të Popullit dhe Komitetit të Helsinkit, për ta ndihmuar në marrjen e diplomës. Bashkim Sulejmani