Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për të qenë anëtare e plotfuqishme e Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh presidenti Gjorge Ivanov duke shtuar se mbajtja peng e Maqedonisë jashtë familjes së madhe evropiane vjen si rezultat i sjelljes së disa politikanëve të papërgjegjshëm të Greqisë. Ivanov me këtë rast tha se me zhbllokimin e rrugës euro-integruese të Maqedonisë, nuk do të përfitojë vetëm vendi, por do të përfitojë rajoni edhe gjithë Evropa.
"Unë sistematikisht insistoj në sjellje të përgjegjshme dhe respektim të obligimeve të marra d.m.th nëse respektohet Marrëveshja e Përkohshme dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare duhet që të zhbllokohen bisedimet për Maqedoninë pasi nga kjo do të ketë interes edhe Maqedonia, edhe rajoni por edhe BE-ja dhe me këtë do të tregohet se ajo që vlen për vendet tjera do të duhet të vazhdojë edhe për Maqedoninë, kur të plotësohen të gjitha kriteret, të kemi të drejtën të marrin atë që na takon neve", deklaroi Gjorge Ivanov, president.
Këto komente presidenti Ivanov i bëri gjatë vizitës së tij në lokalitetin arkeologjik Taor në Komunën e Zelenikovës. Ivanov ndërkohë u pyet se a do ta suspendojë ose jo anëtarin e kabinetit të tij, Ejup Berisha si rezultat i shpalljes së tij fajtorë nga Gjykata për ushtrim të dhunës në familje, gjegjësisht keqtrajtim fizik të ish-bashkëshortes së tij Lutfije Berisha.
"Përderisa vendimi nuk bëhet i plotfuqishëm ne nuk mund të ndërmarrim asgjë. Por qëndrimi ynë është thënë në opinion: Do të presim që vendimi të bëhet i plotfuqishëm dhe ne do të veprojmë sipas të gjitha normave ligjore por edhe morale. Përderisa bëhet fjalë për njeri të këtillë, ai nuk ka vend në kabinetin e presidentit", tha Gjorge Ivanov, president
Presidenti Ivanov edhe njëherë ka ftuar Greqinë që të respektojë Marrëveshjen e Përkohshme dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me këtë rast të zhbllokojë rrugën euro-integruese të Maqedonisë. Valmir Kuçi