Ekspertët: 'Të mos bishtnohen ligjet'

2015-08-21 2

Maqedonia vuan nga praktika e vonesës së implementimit të politikave, ndërsa kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve që burgojnë nga Marrëveshja e Ohrit shpeshherë vonesat janë edhe të qëllimshme. Kështu vlerëson eksperti juridik Bajram Pollozhani. Ai konsideron se një ndër problemet kryesore që vështirë po gjen zbatim në praktikë është përfaqësimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe.
"Sado që rritet numri i shqiptarëve në këta institucione në funksion të realizimit të këtij parimi në të njëjtën kohë kemi punësime të partizuara nga partneri i koalicionit i cili gjithashtu bën punësime të mëdha të maqedonasve kështu që ky disproporcion rritet edhe më tutje në vend se të zvogëlohet. Ajo që bie në sy është edhe implementimi në fushën e gjuhëve zyrtare dhe këtu janë sfera që shihen. Mungon vullneti për zbatim. Le që edhe vet ligji i ka mangësitë e veta dhe kufizimet në kontestin e amendamentit 5 të kushtetutës, por edhe në implementim të ligjit për gjuhën ka ngecje, mungesë vullneti", tha
Bajram Pollozhani, ekspert juridik.
Ndërkohë ekspertja Tanja Karakamisheva vlerëson se që nga futja në Kushtetutën e Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit është implementuar në tërësi. Mirëpo sipas saj, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore duhet të respektojnë ligjin, e jo të udhëhiqen nga vullneti politik.
"Ministrat, së bashku me gjithë të punësuarit në ekzekutiv duhet t'i zbatojnë ligjet ashtu siç shkruajnë. Vullneti politik duhet të largohet anësh. Është vullneti juridik që është më i fuqishëm në sistemin tonë. Ligjet duhet të lexohen ashtu siç shkruajnë. Nëse ka problem në implementimin e ligjeve atëherë dihet se para cilit gjyq, para cilit organ duhet të shtrohet çështja e kushtetutshmërisë, implementimit ose jo të ndonjë ligji konkret", deklaroi Tanja Karakamisheva, eksperte juridike.
Pollozhani dhe Karakamisheva vlerësojnë se Parlamenti duhet të kërkojë llogari nga Qeveria për mos zbatimin e ligjeve. Pollozhani ndërkohë vlerëson se Marrëveshja e Ohrit e cila aso kohe nga lidershipi shqiptar ishte cilësuar si i rëndësishëm, ndërsa nga lidershipi maqedonas është minimizuar ndikimi i saj, sot 11 vjet pas nënshkrimit kemi situatë që shqiptarët të jenë dëshpëruar nga efektet e implementimit të kësaj marrëveshje, kurse maqedonasit të afirmojnë të arriturat e implementimit. Shkëlzen Aqifi

Free Traffic Exchange