MPB, mbi 7 mijë aplikues për 300 vende

2015-08-21 2

Vetëm nga konkursi një javor për pranimin e 300 policëve, Ministria e Brendshme në buxhetin e saj do të inkasojë 108.600 euro. Këto mjete vijnë si rezultat konkurrimit të 7240 personave për këto 300 vende të lira. Këto fonde financiare ministria do t'i marrë nga aplikuesit të cilët gjatë aplikimit paguajnë mesatarisht nga 15 euro për sigurimin e dokumenteve të nevojshme për të konkurruar. Për ekspertin ekonomik Visar Ademi kjo dëshmon se sektori privat në Maqedoni nuk ka kapacitetin e duhur për zhvillimin e ekonomisë. Sipas tij sektori privat është jo-konkurrent, kurse forca punëtore është e pakualifikuar. E gjithë kjo, sipas tij, është arsyeja kryesore se pse rinia, sidomos ajo shqiptare, përcaktuar dhe kërkon të punësohet në administratën shtetërore.
"Shqiptarët drejtohen drejt administratës publike sepse në 20 vitet e kaluara nga pavarsia, partitë politike shqiptare kjo u proklamua si vlerë si e mirë shoqërore dhe prandaj tani kemi konvertimin gjenetik të shqiptarëve nga sipërmarës në shërbyes cilvil. Do të thotë se shqiptarët gjithmon kanë qenë sipërmarës, ndërsa tani kemi absurditetin kur prindërit janë sipërmarrës, kurse fëmijët e tyre drejtohen drejt administratës duke marrë edhe punë që nënkupton ndejtje në shtëpi", deklaroi Visar Ademi, ekspert ekonomik.
Ndërsa edhe sociologët numrin e madh të konkurruesve vetëm për 300 vende e arsyetojnë me situatën ekonomike të vendit e cila është e brishtë. Në këtë mënyrë, sociologët konsiderojnë se brezat e rinj tentojnë t'i shmangen varfërisë së madhe dhe të kenë të ardhura të sigurta mujore. Gjithë këto arsye, sipas sociologëve rrisin nevojën për të punuar në administratën shtetërore.
"Aspekti sociolog i kësaj problematike ka disa pika. E para ajo që është e rëndësishme në aspektin sociologjik janë disa vlera të cilat janë ngushtë të lidhura me punën me një shtet siç është Maqedoni, e ato janë vlera të tipit marrja e të ardhurave me kohë, saktësia dhe rregullshmëria, vlera të cilat sot nuk ekzistojnë por që janë të lidhura ngushtë me sigurimin e mjeteve për mbijetesë. Do të thotë në administratën shtetërore, pagat që i marrin ndoshta nuk janë të larta por janë të rregullta, të sigurta dhe siç thash në shtet ku keni problem për punësimin e rinisë këto vlera janë në majën e vlerave dhe pikërisht nga këtu del nevoja dhe dëshira e rinisë për t'u punësuar në administratën shtetërore", tha Tatjana Stojanovska, Sociologe.
Sipas Stojanovskës dhe Ademit, puna shtetërore për rininë në Maqedoni edhe pse nuk siguron përparim në karrierë, ajo mundëson planifikimin e jetës gjë të cilën sektori privat nuk e mundëson. Nevzat Mamuti