Heshtje nga ish anëtarët e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) rreth shpërdorimit të 27 milion eurove nga grupacioni 'Toplifikacija' i publikuar nga anëtari aktual i KRRE-së Ruhi Bakiu. Të kontaktuar nga ALSAT-M, ish anëtarët pranojnë se ndaj tyre ka padi për shpërdorimin e këtyre 27 milion eurove e ngritur nga Toplifikacija. Që situata të jetë edhe më e ndërlikuar ndikon edhe fakti se 'Toplifikacija' procesin gjyqësor kundër komisionit rregullator për energjetikë si institucion tashme e ka humbur. Por, menjëherë pas humbjes së këtij procesi gjyqësor ka ngritur padi kundër pesë ish anëtarëve të Komisionit Rregullator për Energjetikë, të cilët konsiderohen si fajtorë kryesor për humbjen financiare të kësaj kompanie. Qëllimi i kësaj padie, sipas informacioneve të ALSAT-M, nuk është që ish anëtarët të paguajnë dëmshpërblimin kompanisë, por Toplifikacija synon shpalljen e tyre si fajtorë me çka do të iniciojë procedurë tjetër gjyqësore nga ku do të kërkojë që KRRE t'i paguajë dëmshpërblim. Përkatësisht në këtë mënyrë, Toplifikacia synon që pas fitimit të padisë, ta detyrojë Komisionin Rregullator që ta rrisë çmimin, e me këtë ta kthejë shumën e humbur, që siç u tha, kapë disa miliona euro. Ky proces gjyqësor ndaj 5 anëtarëve është në vijim dhe zgjat thuajse 2 vite. Këtë skandal javën e kaluar e publikoi anëtari i këtij komisioni, Ruhi Bakiu.
"Në anën tjetër po i njëjti menaxhment nga kolegët tonë paraprak të cilët kanë qenë pjesë e këtij komisioni në procedurë të rregullt gjyqësore kërkon edhe 12 milion euro të tjera me arsyetimin se me çmimet që i kanë dhënë kolegët tonë në vitin 2006, 2007 dhe 2008 atë e kanë dëmtuar si kompani prandaj dhe duhet të dëmshpërblehet", deklaroi Ruhi Bakiu anëtar i KRRE-së.
Sipas Bakiut, Grupacioni 'Toplifikacija' që përfshinë të gjitha ngrohtoret e Shkupit, ka keqpërdorur jo vetëm mjetet e veta financiare të saja por edhe ato shtetërore duke financuar ndërtimin e termocentralit TETO në Shkup. Përkatësisht në këtë mënyrë 27 milion euro e saja, në vend të furnizimit me ngrohje qendrore i ka shpenzuar për ndërtimin e TETO-s ku është pronare e 20 për qind të aksioneve. Bakiu thotë se grupacioni 'Toplifikacia' për të furnizuar qytetarët me ngrohje qendrore, ka marrë kredi nga bankat komerciale në Maqedoni, ndërsa paratë e marra nga shteti për të mbijetuar sezonin dimëror për ngrohje qendrore për qytetarët në vlerë prej 4 milion euro po ashtu i ka investuar në termocentral, por kësaj radhe vetëm 2 milion euro. Nevzat Mamuti