Shkelet ligji për automjete, në pjesën që ka të bëjë me dhënien e lejeve të qarkullimit. Edhe pse neni 33 i këtij ligji mundëson që lejet e qarkullimit të jepen në dy gjuhë, një klauzolë e tillë ende nuk respektohet. Ministrja e brendshme Gordana Jankullovska thekson se dikasteri që ajo drejton, po i respekton në mënyrë parimore të gjitha ligjet që janë nën kompetencë të MPB-së, ndërsa ligji për automjete, sipas saj, është nën kompetencë të ministrisë së Ekonomisë. Megjithë një keqkuptimi, se për cilin ligj bëhet fjalë, Jankullovska e la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me mediat, që të korrigjojnë lëshimet eventuale në zbatimin e ligjit.
"Ligji për automjete është ligj nën kompetencë të ministrisë së Ekonomisë, ligji për patentë shoferi, nëse është ai ligj për të cilin shtroni pyetjen, i përcakton qartë kushtet, përkatësisht pamjen e formularit dhe mënyrën e dhënies, dhe në MPB në mënyrë konsekuente respektohet ajo që shkruhet në ligjin për patentë shoferi. Në mënyrë shtesë, mund ta shohim dhe t'u japim informacion më të detajuar për shkak se nuk e di saktë për çfarë ligji po insinuoni është normale që unë nuk i kam me vete të gjitha tekstet e ligjeve dhe të gjitha nenet, megjithatë ajo që është kompetencë e MPB-së, për të gjitha ligjet në mënyrë konsekuente, respektohet. Nëse ka ndonjë lëshim, do t'ju lusë që të na tregoni që ta korrigjojmë", tha Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Në nenin 33 të ligjit për automjetet, pika 5 thuhet:
'Qytetarëve, që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare - me kërkesën e tyre personale - të dhënat për emrin personal që regjistrohen në lejen e qarkullimit, u shkruhen ato në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, në gjuhën dhe alfabetin që qytetari flet, si dhe në alfabetin latin'. Deri tani, asnjë qytetari shqiptar nuk u është ofruar një leje qarkullimi edhe në gjuhën shqip, përkundrazi, pranë MPB-së, një gjë e tillë ende konsiderohet 'mision i pamundur'.
Gjyltene Rexhallari