Me vendim të qeverisë afro 200 studentë që studimet e tyre i kanë kryer në universitetet e ndryshme të Kosovës do të mund të bëjnë nostrifikimin e diplomave të tyre. Vendimi i qeverisë sipas numrit dy ët ministrisë së Arsimit, Safet Neziri, vjen pas një pune të gjatë të grupeve të punës mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.
"Si rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë që e kemi me Republikën e Kosovës kemi arrit deri tek një zgjidhje e madhe e cila është paraqitur viteve të fundit në drejtim të gjithë atyre që kanë diplomuar në Republikën e Kosovës, me një vendim të posaçëm, në mbledhjen e djeshme të qeverisë është sjellë vendimi për rregullimin dhe tejkalimin e problemeve, të pranimit të diplomave të cilët kanë diplomuar në Republikën e Kosovës, do të thotë se do të pranohen diplomat e studentëve tanë që kanë diplomuar në Republikën e Kosovës", deklaroi Safet Neziri, zv ministër i arsimit.
Sipas Nezirit pas këtij vendimi të qeverisë fillon procedura e mëtutjeshme teknike dhe organizative në drejtim të rregullimit të dokumenteve të të gjithë atyre kandidatëve që i kanë dorëzuar për nostrifikimin e diplomave të tyre. Ai madje shprehet optimist se brenda vitit kjo çështje do të rrumbullakohet.
"Mendojmë që brenda afatit të caktuar, brenda kësaj periudhe, brenda këtij viti që sa më shpejtë që të mundemi, në bashkëpunim edhe me institucionet relevante të Kosovës që të rregullohet ajo marrëveshje që e kemi bë paraprakisht mes dy ministrive, respektivisht grupeve të punës të Ministrisë së arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së arsimit të Maqedonisë", tha Safet Neziri, zv ministër i arsimit
Ndryshe vendimi i qeverisë përfshinë të gjithë ata studentë që kanë diplomuar në universitetet e Kosovës pas pavarësisë së saj. Ndërkohë që marrëveshja do të vazhdoj edhe më tej për të gjithë ata të cilët planifikojnë studimet e tyre t'i vijojnë në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që ky problem nuk ka qenë evident para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës meqë është zgjidhur përmes UNMIKU-t. Bedri Rexhallari