Një ditë pas aksionit që ndërmori misioni i NATO-s në Kosovë, në pjesën veriore të vendit, duke hequr një barrikadë rrugore në fshatin Rudarë, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë thonë se situata është e qetë dhe se nuk ka pasur ndonjë veprim që mund të ketë cenuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë pjesë. Përfaqësues të këtyre mekanizmave njoftojnë se gjendja shëndetësore e dy ushtarëve ndërkombëtarë, që u plagosën gjatë aksionit të djeshëm, është përmirësuar dhe se ata u janë kthyer njësiteve të tyre. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, theksoi se pas heqjes së barrikadës në Rudarë, në zonat në veri të Kosovës nuk ka mbetur ndonjë barrikadë tjetër përveç asaj mbi urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo barrikadë, sipas Novickit, nuk pengon lirinë e lëvizjes në veri të Mitrovicës dhe se ajo do të mbetet si simbol i kundërshtimit të serbëve ndaj integrimit të kësaj pjese në Kosovë. Aksioni i djeshëm i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë hasi në kundërshtimin e serbëve lokalë, 3 prej të cilëve thuhet se u plagosën duke protestuar kundër këtij veprimi. Gjithsesi, policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in dhe nuk përjashton mundësinë e hetimeve për identifikimin e personave të dyshuar për aktet e djeshme kriminale. Qysh kohë më parë, KFOR-i ishte zotuar për heqjen e të gjitha barrikadave rrugore, të cilat serbët e veriut të Mitrovicës i patën vendosur pas aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në korrik të vitit të kaluar. Admir Qose