Besimi: BDI nuk i ka tradhtuar votuesit

2015-08-21 1

Pas samitit të NATO-s që kohë më parë u mbajt në Çikago sytë e Maqedonisë janë kthyer nga Greqia si mundësi e vetme për intensifikim të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje, e cila do të zhbllokonte procesin euro-integrues të vendit. Kështu vlerëson ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi, sipas të cilit partner i vetëm dhe domethënës në zgjidhjen e kontestit rreth emrit është Greqia. Besimi madje shprehet se BDI nuk i ka tradhtuar votuesit e saj sa i përket integrimeve euroatlantike, ngaqë subjekti i tij politik dhe qeveria kanë punuar intensivisht për të qenë pjesë e NATO-s. Por shprehet më tej Besimi, integrimet kanë mbetur të bllokuara pasi "në këtë periudhë ka munguar partneri për të zgjidhur çështjen e njohur të kontestit të emrit".
" Partner domethënës, do të përsëris, partnerë në këtë zgjidhje është Republika e Greqisë. Ne duhet të shpresojmë dhe të presim se me qeverinë e ardhshme po qe se konsolidohet së shpejti, të mund të kemi partner me të cilin do ta kishim zgjidhur këtë çështje. Do të thotë dera e parë që duhet të trokasim është Republika e Greqisë prej së cilës do të kërkojmë që të vazhdojmë dialogun, dialogun intensiv. Të kapërcejmë dallimet, dhe për këtë me siguri do të ketë mbështetje nga vendet anëtare të NATO-s", deklaroi Fatmir Besimi, ministër i mbrojtjes.
Besimi shpreson se qeveria e re greke do t'i qaset me seriozitet më të madh kontestit rreth emrit.
"Ne duhet të vazhdojmë me interesin tonë në kapërcimin e kësaj çështjeje dhe qasjen tonë konstruktive, nga njëra anë. Nga ana tjetër, të shpresojmë se zgjedhjet që janë të parapara për në qershor në Greqi do të sjellin deri te një qeveri të qëndrueshme, e cila do të mund ta konsolidojë terrenin në vend dhe të jetë e përkushtuar në këtë çështje që të mund bashkë ta zgjidhim dhe ta kapërcejmë këtë çështje të hapur dhe kështu të jemi bashkë anëtare të NATO-s dhe BE-së", tha Fatmir Besimi, ministër i mbrojtjes.
Këto komente Besimi i bëri në intervistën javorë të radios 'Evropa e lirë'. Intervista vjen një javë pas samitit të NATO-s në Çikago ku Maqedonia nuk ishte fare në rend dite. Kjo, sipas Besimit, ishte e pritshme ngase samiti në fjalë nuk kishte karakter zgjerues. Bedri Rexhallari