Pas dy muajsh do të dihet se sa para do të nevojiten për revitalizimin e liqenit të Treskës. Sipas kreut të qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, qyteti vendosi që problemin e liqenit ta zgjidhë përmes partneritetit privato-publik, dhe për këtë arsye tani përgatitet vlerësimi rreth shfrytëzimit në të ardhmen të këtij liqeni.
"Tani po përgatisim studimin e fizibilitetit që duhet të reflektojë arsyeshmërinë e këtij projekti. Ne duhet të shohim se sa duhet të investojë partneri privat dhe cilën përqindje duhet të japë qyteti i Shkupit, përkatësisht, Ndërmarrja Publike 'Parqe dhe Gjelbërime'. Mendoj se është një zgjidhje e mirë, sepse tani ndërmarrja 'Parqe dhe Gjelbërime' ndan shuma të mëdha financiare për mirëmbajtjen e kësaj qendre. Në këtë mënyrë, besoj se liqeni do të vihet në funksion, kurse qyteti nuk do të ketë shpenzim të mëdha", tha Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Jo zyrtarisht, sipas një pjese të ekspertëve, për revitalizimin e liqenit nevojiten rreth 5 milionë euro. Që të lejohet larja në liqen, fundi i tij duhet të betonohet përsëri, të ndërtohet stacion pastrimi që do të filtronte ujin, si dhe të ndërtohet edhe kanali i filluar i lumit Treska, përmes të cilit liqeni do të merrte ujë më cilësorë në krahasim me atë të tanishmin. Liqeni i Treskës është ndërtuar që në vitin 1978 me vetë kontributin e shkupjanëve. Kompleksi përfshin 35 hektarë prej të cilëve një pjesë janë sipërfaqe të gjelbra ndërsa tjetra është ujë. Qendra punonte aktivisht deri në vitin 1989 dhe çdo verë ishte destinacion turistik i adhuruar për shkupjanët dhe për banorët e qyteteve të tjera. Verica Pavlloska