"Siç mundë të shihet nga pamjet, kjo shkollë po rinovohet ende pa u lëshuar në përdorim. Edhe pse ndërtimi I saj ka filluar që në vitin 2002, nga Ministria e Arsimit nuk kemi asgjë tjetër përveç premtimit që ky semestër do fillojë në shkollën e re të fshatit Xhepcisht".
Me gjithë optimizmin e zv/ministrit të arsimit Safet Neziri për hapjen këtë semestër të shkollës në fshatin Xhepçisht, ndërtimi i së cilës ka nisur që në vitin 2002, situata tregon të kundërtën. Jo vetëm që nuk do të hapet këtë semestër, por më e keqja, punimet në të janë ndërprerë. Drejtori i Shkollës Qendrore 'Skënderbeu' të fshatit Poroj, ngre supet dhe nuk ka sqarime se cili do të jetë fati i kësaj shkolle. 'Nga Ministria na vizitojnë shpesh - thotë drejtori Gajur Islami-, por përveç fjalëve premtuese, asgjë konkrete nuk ka'.
"Nuk e dimë çka është problem a nuk e kanë paguar nga Ministria e Arsimit apo çka është puna. Para pesë ditësh ishte një komision nga Ministria e Arsimit përsëri erdhën bënë kontroll morën do shënime se çka duhet të rregullohet përsëri. Në shkollë kanë ngelur të gjithë punët e pakryera brenda, në bodrume në pjesën e jashtme ku është pa ly dhe ka edhe shumë defekte tjera. Nuk është punuar në rregull si me dritaret me dyert një pjesë e objektit që është ndërtuar ka plasur, lart ka rrjedhë uji. Ne kemi marrë premtime nga zëvendësministri se do kryhen punët, tani kur erdhën sërish thanë që i kemi marrë tenderin atij që kryente punët do ia ndajmë tjetërkujt", deklaroi Gajur Islami, drejtor i Sh.F. 'Skënderbeu' -- Poroj.
Nga Ministria e Arsimit pranojnë pengesat por thonë se ato janë evituar tashmë dhe punimet do të rinisin. Zv/ministri Safet Nezirit, garanton kësaj here se në 1 shtator, mësimi për nxënësit e fshatit Xhepçisht, do fillojë në objektin e ri.
"Kanë dalë disa çështje që duhej të rregullohen konform ligjit për furnizime publike që është në fuqi, por unë mundë t`ju garantoj se ka fundi është arritur me punimet brenda shkollës Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Xhepçisht, dhe besoj që më 1 Shtator veç më do futen nxënësit. Është bë inspektim në shkollë dhe janë marrë masat për meremetimin dhe tejkalimin e atyre plasaritjeve që janë paraqitur gjatë kësaj periudhe kur nuk ka pasur nxënës brenda në këtë shkollë dhe ato do rregullohen dhe do tejkalohen", deklaroi Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Si pasojë e vonesës mbi 10 vjet të lëshimit në përdorim të shkollës së re të fshatit Xhepçisht, afro 600 nxënës të këtij fshati, çdo ditë udhëtojnë nga dy kilometra për të arritur në shkollë në fshatin fqinjë, Poroj. Bashkim Sulejmani