Funksionarët shqiptarë përballen me mungesën e certifikatave për siguri, të cilat iu mundësojnë atyre qasje tek informatat me karakter të klasifikuar. Me një problem të tillë sipas deputetit të RDK-së Izet Zeqiri, përballet edhe drejtori aktual i qendrës për menaxhimin e krizave. Zeqiri theksoi se pala maqedonase nuk ka vullnet politik që t'i pajisë funksionarët e BDI-së me një certifikatë të tillë. Reaguan nga BDI-ja duke kërkuar nga Zeqiri që të mos luajë rolin e avokatit të saj.
"Disa funksionarëve shqiptarë ju pamundësohet marrja e licencës duke u konsideruar nga organet e sigurisë si persona të rrezikshëm. Kërkesa refuzohet me arsyetimin se nuk i përmbushin kushtet e parapara me nenin 47 dhe 48. Një drejtor që quhet me emrin Zulfi Adili, që është drejtor i qendrës për menaxhim me kriza, që është i emëruar nga BDI dhe që nga 12 gushti i vitit 2008 i është refuzuar e drejta", tha Izet Zeqiri, RDK.
"I nderuar koleg Zeqiri, të falënderoj për tentativën për të bërë avokaturë kuadrove të BDI-së por tani për tani nuk ka nevojë për shqetësime dhe besoj se nuk do të ketë nevojë, për arsye se kuadrot e BDI-së veprojnë në suaza të ligjeve pozitive dhe rasti i zotit Zylfi Adili është në suazat e procedurave legjitime dhe legale", tha Nexhati Jakupi, BDI.
Ndërkohë deputeti i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, shkoi aq larg saqë Izet Zeqirin e akuzoi për ekstremizëm. Sipas tij Zeqiri gjithnjë vihet në mbrojtje vetëm të interesave të shqiptarëve.
"Ju gjithnjë flisni se mungojnë të hollat për arsimimin e shqiptarëve, nuk ka rrugë të mira, do të thotë gjithnjë e ushqeni ekstremizmin në Maqedoni dhe pastaj çuditeni pse ka përplasje mes të rinjve dhe kështu me radhë. Si profesor deri më sot asnjëherë nuk keni përfaqësuar një tezë qytetare, nuk mbani llogari që të mbrohen të drejtat e të gjithë qytetarëve, por këtu jeni një mbrojtës i interesave shqiptare", u shpreh Pavle Trajanov, LD.
"I nderuar deputet, mos prit që unë të flas për Konçen, Radovishin, qytetarët e Radovishit, për ato duhet të flasësh ti! Çka është ky diskutim i juaj kështu që gjithmonë i shihni çështjet bardh e zi dhe në përkatësi nacionale. Unë jam i zgjedhur prej shqiptarëve dhe unë do të mbroj interesin e shqiptarëve, si ti që do të mbrosh interesin e maqedonasve. Por unë jam më i orientuar kah ky shtet se sa ju. Se unë kam mbi 20 propozim ligje për interesin edhe ekonomik, edhe politik edhe shoqëror edhe kulturor të këtij vendi, ju s'keni asgjë", u kundërpërgjigj Izet Zeqiri, RDK.
Fjalimi i Zeqirit u ndërpre disa herë nga krye-parlamentari Trajko Velanoski, nën arsyetimin se ai po del nga tema e rendit të ditës. Zeqiri i cilësoi ndërprerjet si pengesë dhe tentim për heshtjen e opozitës. Bedri Rexhallari