Sot ditë zie në Shqipëri

2015-08-21 12

Shqipëria i ka ulur në gjysmë shtizë flamujt kombëtar, në ditën e zisë më të rëndë të kohëve të fundit, pas aksidentit tragjik të një dite më parë, ku humbën jetën 13 persona ndërsa 20 të tjerë mbetën të plagosur. Ndërsa zhvillohen homazhe për të rinjtë viktima, nëpër spitalet e qytetit të Vlorës dhe Tiranës luftohet për jetën e të plagosurve, ndërsa në terren ekspertët kanë ngritur pistat hetimore për të gjetur shkakun e aksidentit. Të dhënat paraprake flasin për një defekt teknik të autobusit, në sistemin e drejtimit apo atë të frenimit, por kjo pritet ende të konfirmohet nga kontrolli auto-teknik. Nga policia rrugore thonë se aksi ku ndodhi aksidenti, kishte sinjalistikë të rregullt, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë problemi me tabelat rrugore. Nuk përjashtohet edhe mundësia e një gjendje infarkti që mund të ketë pasur drejtuesi i autobusit me përvojë 10 vjeçare në timon, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën gjithashtu në aksident. Sipas dëshmive të disa studentëve të mbijetuar, në momentet e fundit, shoferi ka thirrur plot ankth; "ikëm, nuk mund ta ndaloj dot!".
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:15 minuta, ku autobusi me targa të Elbasanit që transportonte studentet e degës së Letërsisë në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë të thellë 80 metra në qafën e Vishës në Himarë. Të rinjtë ishin nisur për një ekspeditë 1 ditore në Sarandë, por aventura iu pre në mes. Të parët që dhanë ndihmë për të shpëtuar studentet ishin udhëtarët e rastit, ndërsa pak minuta më vonë, për shkak të terrenit të vështirë, 8 helikopterë të ministrisë së Shëndetësisë dhe Ushtrisë transportuan të plagosurit rëndë drejt Spitalit Ushtarak dhe atij të Vlorës. Me kërkesë të kryeministrit Berisha, këshilli i ministrave e shpalli ditën e sotme, ditë zie, në nderim të 13 viktimave, 12 prej të cilave studente dhe 1 shoferi. Kryeministri Berisha menjëherë pas lajmit, la Samitin e Çikagos për t'u nisur me urgjencë drejt Shqipërisë. Ai, presidenti Bamir Topi, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, kreu i PS-së Edi Rama dhe të gjithë drejtues politikë, institucionesh, biznesesh, organizatash etj, ndanë ngushëllimet, keqardhjen, pikëllimin dhe solidaritetin me familjarët e viktimave. Në të gjitha institucionet flamuri kombëtar është në gjysmë shtizë. Në orën 12, në mesditë, u mbajt një minutë heshtje ndërsa shumica e medieve transmetojnë muzikë funebre, përveç edicioneve informative. Sot, Televizioni shtetëror nuk do të transmetojë as natën e parë të Evrovizionit, ku për ironi të fatit, Shqipëria përfaqësohet me një këngë vaji nga Rona Nishliu. Admir Qose