Të punësuarit në 'Ohis', më së voni deri nesër do të marrin rrogën e mbetur të janarit. Kështu deklarojnë drejtuesit e kompanisë. Sipas tyre, 'Ohis', nga kjo e premte do të fillojë punën për një pjesë të produkteve të saj, për të cilat kishte marrë porosi që prej 3 muajsh. Të punësuarit thonë se në 10ë ditët e ardhshme, për sa duhet të prodhohen sasitë e porositura, do të punojnë dy reparte.
"Na u ofrua të kemi prodhimtari të re dhe ne pranuam në mënyrë që të mund të paguajmë rrogat deri në fund të muajit. Tani për tani, ende nuk ka filluar pagesa e rrogave. Nëse nesër na japin diçka, ne do të ishim të kënaqur", tha Stopan Layarov, kryetar i sindikatës.
Drejtori i kompanisë 'Ohis' Pece Joveski konfirmoi se kompania punon me vështirësi, pasi nuk ka para për sigurimin e lëndëve të para për prodhimtari të rregullt. Ai thekson se kompania ishte e detyruar të marrë paradhënie nga porositësit për të siguruar lëndën e parë për produktet. Ndërsa problem shtesë për kompaninë është fakti se kompania, në vend që të sigurojë para për rrogat e tanishme të punëtorëve, ajo paguan rroga për punëtorët që e kanë paditur kompaninë.
"Vitin e kaluar ne kishim shumë padi, ndërsa këtë vit, ato bëhen të plotfuqishme. Ka 1000 padi që në para do të thotë diku rreth 3 milion euro. "Ohis" nuk mund të ballafaqohet me këtë, sepse ne, në vazhdimësi kemi vendime të reja për pagesën e 8 rrogave", tha Pece Joveski, drejtor i "Ohis".
Kompania u ka borxh të punësuarve disa rroga. Joveski dhe Qeveria e shohin zgjidhjen e problemit, tek shitja e kompanisë. Pas disa ditësh, kompania për të gjashtën herë do të dalë në tender. Katër kompani, tre prej të cilave janë të huaja, janë në garën e tenderit për blerjen e kompanisë "Ohis". Verica Pavlloska