Rreth 100 mijë qytetarë në Maqedoni vuajnë nga sëmundjet reumatike. Diagnostikimi i hershëm është kyç në trajtimin e sëmundjeve të tilla, thonë përvojat e OJQ-së për reumatizëm dhe artrit 'Nora'. Kjo organizatë ka filluar fushatën me titull 'Si të kemi shëndet të mirë, përmes edukimit', duke vendosur pika informuese me broshura për sëmundjet më të shpeshta reumatike, në shumë qendra shëndetësore në të gjithë Maqedoninë, sepse edhe ata vetë kanë pasur problem për të marrë informacion mbi sëmundjet reumatike.
"Unë u diagnostikova me artrit reumatoid 7 vjet më parë. Gjëja e parë kur u përballa me këtë sëmundje ishte ajo se nuk mundja të gjeja informacion se çfarë ndodhte me mua, çfarë sëmundje është, si kurohet, çfarë të bëja, dhe nga çfarë të kisha kujdes", deklaroi Dragan Çiçiq, kryetar i "Nora"-s.
Sipas zyrtarëve nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, sëmundjet reumatike janë të margjinalizuara dhe për ta përmirësuar gjendjen, ata kanë vendosur stimulim përmes edukimit të mjekëve amë, që ta identifikojnë sa më herët sëmundjen.
"Ata janë të detyruar deri në fund të vitit të marrin pjesë në një trajnim të organizuar nga ana e Fakultetit të Mjekësisë nga departamenti i mjekësisë familjare për sëmundje reumatike, me qëllim të zbulimit dhe trajtimit të hershëm të këtyre sëmundjeve, dhe madje, pa efekte të përhershme ose pa pasoja të mëdha për shëndetin dhe aftësinë fizike të vetë të siguruarit", tha Maja Panarxhieva Zmejkova- drejtoreshë e Fondit.
Zakonisht nga sëmundja e artritit reumatoid që prek nyjet e gjymtyrëve vuajnë gratë; rreth 75 për qind e të sëmurëve janë femra. Të gjitha sëmundjet më komplekse reumatike janë zbuluar në Shkup, por shoqata Nora që numëron mbi 800 anëtarë, njoftoi se do të angazhohet që qendra të tilla të hapen në disa qytete të vendit, dhe të zbulohen gjithashtu të tjera raste. Bojana Simonoviq