Ekspertët: Çikago nuk solli asgjë të re për Maqedoninë

2015-08-21 0

Samiti i NATO-s në Çikago nuk solli asgjë për Maqedoninë, kjo për shkak të mos zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë. Por përkundër këtij fakti Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit në NATO dhe BE. Kështu vlerësojnë ekspertët Llazar Elenovski dhe Sllobodan Çasuhle. Llazar Elenovski, i cili me propozim të BDI-së është emëruar për ambasador në Belgjikë, tha për ALSAT M se Maqedonia ka kohë që i ka plotësuar kriteret për anëtarësim në NATO, por se problemet me të cilat është ballafaquar dy vitet e fundit Greqia, kanë penguar shumë Maqedoninë për anëtarësim në NATO.
"Unë si atlantist duhet edhe një herë të forcojmë se s'ka rrugë tjetër strategjike për Maqedoninë përpos anëtarësimit në NATO. Mirë është se ne në shtet kemi një konsensus nacional, para dy javësh edhe në Kuvend gjitha partitë pozitë dhe opozitë kanë konfirmuar se do të vazhdojë të jetë një proces strategjik për Maqedoninë edhe prej anës tjetër do të jetë në zgjedhjet e qershorit në Greqi do të zgjidhet qeveria dhe për disa muaj të hyjmë në bisedime", deklaroi Llazar Elenovski, Kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.
Edhe ish ministri i jashtëm Sllobodan Çashule vlerëson se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit në NATO dhe BE. Sipas tij, Maqedonia nuk ka kontest me NATO-n si institucion. Për Maqedoninë sipas tij kontestuese është pa aftësia ose pafuqia politike e NATO-s që të përballet me këtë situatë në të cilën ndodhet Maqedonia.
"Ne nuk duhet dhe nuk do të heqim dorë nga NATO e as nga BE-ja. Por, ajo që nëse mund të gjykohet nga deklarata ose intervista e kryeministrit është se ne do ta ndërrojmë pikëpamjen tonë politike parasegjithash ndaj NATO-s dhe nuk do të jemi më dyfytyrësh por si çdo vend demokratik në këtë aleancë do ta tregojmë mendimin tonë dhe pakënaqësinë tonë, pasi jemi seriozisht të shqetësuar se qasja shoviniste e Greqisë po rrënon NATO-n në vlerat e saj më të larta, ato janë sovraniteti i shteteve, identiteti i kombeve dhe eliminimi i kontesteve përmes bisedimeve. Bisedime nuk do të thotë diktat, një shtet të shantazhoj dhe të kërkojë të jetë në të saj", u shpreh Sllobodan Çashule, Ish ministër i jashtëm.
Çashule vlerëson se Maqedonia duhet të vazhdojë të tregojë vërejtjet e veta dhe të insistojë në zgjidhje që janë të verifikuara në vendimin e GJND-së si dhe të vazhdojë në fronte në luftë kundër terrorizmit në botë. Sipas tij Maqedonia edhe pse formalisht nuk është anëtare e NATO-s, de fakto është anëtare. Shkëlzen Aqifi

Easy Viral Banner Traffic