Vamen: Maqedonia t'i respektojë dallimet fetare, etnike dhe kulturore

2015-08-21 1

Danimarka me porosi të qartë dhe të prerë ndaj Shkupit. Respektimi i bashkësive etnike, fetare dhe kulturave të ndryshme është parakushti kryesor për një vend që aspiron familjen e madhe evropiane. Këtë komente i bëri ministri për çështje evropiane i Danimarkës Nikollai Vamen, vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Evropian gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup. Vamen duke komentuar raportet e tensionuara ndëretnike dhe ndër-fetare në vend, pas incidenteve të fundit, tha se qëndrimi i BE-së rreth kësaj çështjeje është i qartë, respektimi i dallimeve është ndër vlerat kryesore të Unionit, ndaj këtu nuk duhej të përbëjë përjashtim as Maqedonia.
"Pjesë e vlerave evropianë është edhe respekti për grupet etnike dhe sundimin e të drejtës dhe natyrisht çdo shtet që aspiron të bëhet anëtare e BE-së, duhet t'i respektojë këtë dhe të punojë në këtë drejtim. Kjo paraqet porosi të qartë të BE-së ndaj cilitdo shtet që dëshiron t'i bashkëngjitet Unionit, se duhet t'i respektojë fetë, kulturat e ndryshme si pjesë e vlerave evropiane, prandaj është një kusht shumë i rëndësishëm për t'u anëtarësuar", deklaroi Nikollai Vamen, ministër për çështje evropiane i Danimarkës.
Ndërkaq zv/kryeministra për çështje evropiane Teuta Arifi, theksoi se përpjekja e të gjithë faktorëve në shoqëri duhet të përqendrohen në zbatimin e plotë të M.O-së dhe agjendës evropiane si kusht për qetësimin e tensioneve.
"Të gjitha faktorët në shoqëri dhe ndërkombëtarisht duhet të japin kontributin që proceset që lidhen më zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe rruga e hapur evropiane të mundësojnë një qetësi më të madhe në proceset e mëtutjeshme. Agjenda evropiane është agjenda më e sigurt për tejkalimin e problemeve të ndryshme të cilat mund të jenë të pranishme jo vetëm këtu por edhe në tërë rajonin", u shpreh Teuta Arifi, zv/kryeministre për çështje evropiane.
Ministri danez Nikollai Vamen gjithashtu inkurajoi vendin që të mbetet i fokusuar fuqishëm në agjendën evropiane dhe përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësim. Vamen u bëri thirrje Athinës dhe Shkupit zyrtar që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje për çështjen e emrit si kusht për avancimin e vendit në rrugën evropiane. Nga ana tjetër numri një i euro-integrimeve të Maqedonisë, Teuta Arifi, tha se vendi bën përpjekje konstruktive rreth çështjes së emrit por se nuk mund të jap elemente të tjera përderisa nuk formohet qeveria në Greqi. Arifi gjithashtu theksoi se është më se e sigurt që Ballkani Perëndimor do të anëtarësohet në BE pasi nuk ka alternative dhe perspektivë tjetër. Semra Jakupi