Diaspora kërkon anëtarësim në NATO

2015-08-20 0

Diaspora e bashkuar e Maqedonisë ka inicuar një peticion on-line përmes të cilës kërkon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Çikagos. Deri më tani peticionin e kanë firmosur rreth 11 mijë qytetarë nga Maqedonia por edhe jashtë. Në të theksohet se në vitin 2008 NATO ka pohuar se Maqedonia i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme për anëtarësim të plotfuqishëm megjithatë, Greqia vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Maqedonisë, për shkak të "çështjes së emrit".
" Ky kontest është pohim ksenofobik se kultura dhe identiteti maqedonas paraqesin kërcënim për Greqinë. Gjykata solli vendim në favor të Maqedonisë, por, Greqia nuk kërkon zgjidhje për problemin por dëshiron të blejë kohë .Anëtarësimi në NATO do të nxit investime të reja dhe zhvillim ekonomik gjë që është shumë e nevojshme për rajonin. Ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në Çikago në maj, vetëm do ta mbështeste misionin e Aleancës për Evropë demokratike, të fuqishme dhe të lirë...", theksohet ndër të tjera në peticion.
Peticioni i dedikohet presidentit amerikan Barak Obama, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Andres Fog Rasmusen si dhe funksionarë të tjerë të lartë të SHBA-së.
Por, Sekretari i përgjithshëm Aleancës të Atlantikut të Veriut Rasmusen në një deklaratë për Radio Evropën e Lirë një ditë më pare theksoi se qëndrimi i NATO-s rreth anëtarësimit të Maqedonisë mbetet i njejtë edhe në prag të samitit të Çikagos.
"Sa i përket Maqedonisë, në vitin 2008 ishte vendosur për të filluar bisedimet për anëtarësim në NATO, me kusht që të gjendet një zgjidhje reciprokisht e kënaqshme për emrin e Maqedonisë. Për fat të keq, nuk ka përparim, por vendimi që kemi marrë 4 vjet më parë mbetet në fuqi," është shprehur Rasmusen. Semra Jakupi