Rrëfimet, fotografitë dhe video-klipet e nxënësve të cilët aplikuan në konkursin me temë "Së bashku për shkolla pa dhunë" japin një pasqyrë se pothuajse në të gjitha shkollat e Maqedonisë është prezentë dhuna, ndërsa, në të shumtën e rasteve, përkatësia etnike është arsyeja pse shkaktohet ajo. Kështu u shpreh përfaqësuesi UNICEF-it, Sheldon Jet, zyra e të cilit e mbështet këtë projekt të Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Nga gjithsej 167 kontribute mediale u zgjodhën 14 më të mirët. 10 fituan bursa studimi ndërsa 4 të tjerët të tjerët lap-top, kamerë dhe aparat fotografik.
"Rrëfimet tuaja janë të vërteta ndërsa përmes tyre tregohet gjendja dhe ajo që quhet dhunë në shkolla. Në përmirësimin e këtij procesi rol të rëndësishëm kanë edhe prindërit, të cilët mund t'i thonë STOP dhunës, si dhe mediat duke ngritur zërin në kohë dhe mënyrë të duhur. Zakonisht përkatësia etnike është arsyeja e dhunës në shkolla. Në bazë të projekteve që kemi pranuar, mund të vijmë në përfundim se dhuna është problemi kryesor në shkolla, por duhet të kemi parasysh se ndryshimet nuk mund të vijnë brenda natës. Ky, është hapi I parë dhe ju përgëzoj të vazhdoni më tutje", tha Sheldon Jet, përfaqësues i UNICEF-it.
Televizioni Alsat M mbështeti konkursin në fjalë duke ndarë dy bursa studimi për maturantët Flamur Ebibi dhe Elena Danova.
"Ju falënderoj juve si televizion që më ndatë këtë bursë. Mendoj se për mua ky profesion është shumë tërheqës dhe shumë interesant dhe shpresoj që në të ardhmen do ta mbaroj me sukses. Televizionin Alsat e shikoj rregullisht dhe nuk mund ta paramendoj se si do të dukem, kjo për mua ka qenë një ëndërr", Flamur Ebibi, fitues i bursës nga TV Alsat M.
"Jam shumë e gëzuar që fitova çmimin për të studiuar në Shkollën e lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun, mirëpo duke pas parasysh se pas përfundimit të studimeve do të fitoj angazhim profesional, kjo njëherit edhe e dyfishon gëzimin që kam", deklaroi Elena Danova, bursiste nga TV Alsat M.
Konkursi "Shprehu përmes mediave" e me temë "Së bashku për shkolla pa dhunë" u prezantua në 50 shkolla të mesme në 32 qytete të Maqedonisë. Kishte për qëllim që të stimulon nxënësit që publikisht ti shprehin mendimet e tyre për tejkalimin e dhunës në shkolla. Melihate Rustemi