Arrestimet, ankesa te Komiteti Helsinkit dhe Avokati i Popullit

2015-08-20 2

Familjarët e Haki Haziri të përfshirë në aksionit policor "Monstrum", kanë dorëzuar ankesën e parë deri tek "Komiteti i Helsinkit" . Drejtorja ekzekutive e këtij Komiteti, Urania Pirovska me këtë rast tha se ajo dhe ekipi i saj do të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre me qëllim që t'u dalin në ndihmë këtyre personave. Ajo u bëri thirrje të gjithë të arrestuarve të tjerë të aksionit "Monstrum" të cilët vlerësojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre, t'i drejtohen këtij komiteti.
"Tani më disa anëtarë të familjes së njërit nga të arrestuarit e aksionit "Monstrum" iu drejtuan Komitetit të Helsinkit. Ankesat e tyre për momentin nuk do të mund t'i komentoj pasi vlerësoj se edhe neve na duhet pak kohë që të mund të kontrollohen të njëjtat. Gjithsesi se Komiteti i Helsinkit do të veprojë në përputhje të kompetencave që i ka", deklaroi Urania Pirovska, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit.
Pirovska tha se i përket nxitimit të Ministres së Brendshme, Jankullovska kur ajo tha se policia ka kapur vrasësit e pesëfishtë vlerëson se një gjë e tillë nuk i bën mirë drejtësisë në vend.
"Vlerësojë se në procedura të cilat janë të natyrës delikate, nuk do të duhej të përshpejtohet me deklarata pasi ekziston edhe ajo që quhet princip i prezumcionit të pafajësisë dhe gjyqi është ai i cili duhet në fund të vlerësojë se ata persona janë të pafajshëm ose jo", tha Urania Pirovska, drejtore ekzekutive e Komitetit të Helsinkit.
Ndërkohë edhe deri tek zyra e Avokatit të Popullit ka arritur parashtresa e parë, njëjtë nga familjarët e Haki Hazirit, njëherësh nga rasti më kontradiktor i këtij aksioni. Ata kanë kërkuar sqarime se çfarë ka ndodhur me djalin e tyre që nga 1 maji kur dhe u arrestua nga policia. Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti me këtë rast ka thënë se ai ka pranuar parashtresën e familjes Haziri dhe se rasti i tij do të ndiqet në dy pista. "Së pari do të shohim nëse privimi nga liria ishte apo jo në përputhje me ligjin, posaçërisht në rastin e Haki Hazirit, si u veprua me të prej periudhës së marrjes nga aksioni policor dhe a kishte shkelje ligjore gjatë gjithë këtij aksioni".
Mehmeti ka thënë se është herët të flitet se cili do të jetë rezultati i hetimeve që do t'i ndërmerr ekipi i tij i juristëve dhe që do të kontaktojnë edhe me organet e rendit për mënyrën e arrestimit. Valmir Kuçi