Historia dhe trashëgimia kulturore pikëtakim për të gjithë

2015-08-20 4

Trashëgimia kulturore duhet të jetë pikë lidhëse e të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni, ajo nuk njeh kufij dhe nuk duhet të vlerësohet si etnocentrike, ndërsa paraardhësit tanë dhe bashkëjetesa e tyre në të kaluarën duhet të merret shembull dhe të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Këto ishin përfundimet të cilat dolën nga konferenca shkencore me temë "Trashëgimia kulturore, shpirtërore dhe historike në Maqedoni-sfidat, mundësitë dhe perspektivat".
"Duhet të kemi kujdes lidhur me atë se si perceptohen ngjarjet historike dhe kulturore. Për fat të keq, më shumë merremi me atë që na ndan se na bashkon. Për fat të keq, sot kemi një situatë të kundërt, mes veti ndahemi, para së gjithash duke përdorur edhe ngjarjet ose proceset historike dhe kulturore, të cilat në vend se t'i përdorim për t'u bashkuar dhe për të jetuar ashtu si duhet, ne më shumë lëvizim i shikojmë dhe kërkojmë gjërat të cilat mund të na ndajnë", tha Todor Çepreganov, Instituti i historisë.
Rol të veçantë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në të shumtën e rasteve ka dhënë edhe folklori. Kështu shprehet studiuesi i folklorit, Izaim Murtezani I cili konstatoi se kanë munguar iniciativat të kësaj natyre të cilat përmes folklorit promovojnë vlera multi-etnike.
"Kjo që ndodhë në këtë tubim duhet të përshëndetet, për shkak se iniciativa promovon vlerat multietnike të cilat shkojnë në funksion të afirmimit të të gjitha kulturave që bashkëjetojnë këtu në shtetin e Maqedonisë. Mendoj se edhe në folklor por edhe në lëmit më të gjerë të kulturës, ekzistojnë stereotipa dhe paragjykime të ndryshme dhe ja është një rast i mirë që pikërisht sot të flasim për nevojën e organizimit të këtyre aktiviteteve të kësaj natyre", u shpreh Izaim Murtezani.
"Qëllimi kryesor është që të bëhet një kohezion, sinkronizim, një simbiozë mes institucioneve si dhe mes individëve të cilët kanë ndikim në historinë dhe në të kaluarën e këtij populli dhe këtij vendi. Të dy popujt përherë kanë pas gjatë historisë, kanë pas pik takime të rëndësishme të cilat duhet të theksohen, mendojmë se duhet të theksohen si diçka që na jep mesazhe për në të kaluarën, si diçka që mund ta shfrytëzojmë në të kaluarën mu për bashkëpunimin mes komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Maqedoni", tha Albert Hani, Qendra për menaxhim të konflikteve.
Konferenca shkencore u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Shoqata e Historianëve Shqiptarë , Instituti i Historisë Nacionale dhe Asociacioni i Arsimtarëve të Historisë në Maqedoni, ndërkohë financiarisht u mbështet nga Ambasada e Gjermanisë. Melihate Rustemi

Free Traffic Exchange