Fshati Odër përballet me mungesë të ujit të pijshëm

2015-08-20 9

Fshati Odër i Komunës së Tearcës edhe këtë vit do mbetet me sistemin e vjetër të ujësjellësit. Kreu i Komunës, Isen Ahsani, tha se pushteti lokal nuk është në gjendje të zëvendësojë sistemin e ujësjellësit, edhe pse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka ndarë disa mjete por ato janë dedikuar për disa fshatra të tjerë të cilët kanë nevoja më urgjente.
"Gjendja faktike e atij vendbanimi dihet, është me një rrjet primar dhe sekondar të amortizuar, por për sivjet nuk mundë të bëhet dhe nuk do të jap garanci të parakohshme. Në këtë kontekst tek ai vendbanim do probleme të natyrës minimale që kanë qenë neve iu kemi dalë në ndihmë dhe do iu dalim përsëri kështu që ndërprerje të ujit të pijes në atë vendbanim nuk do ketë siç ndodhi", deklaroi Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës
Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Odër, Mexhit Fejzuli, shprehet se problemi përkohësisht është zgjedhur por kemi nevojë për zgjidhje afatgjate të projektit. Ai shprehet se gypat e sistemit të ujësjellësit të fshatit janë jashtë dhe të njëjtët duhet të futen në dhe të izolohen nga rrëshqitja e dheut që të mos dëmtohen.
"Kërkesat i kemi bë deri tek kryetari por ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për sanimin e ujësjellësit që e kemi ne. problem për afat shkurtë është i zgjedhur por për afatgjatë ende presim. Gypat në disa vende janë të mbuluar por në disa vende ka defekte të vogla dalin plasje rrëshqitje dheu", tha Mexhit Fejzuli, kryetar i BL Odër.
Ndryshe fshati Odër, si pasojë të sistemit të vjetërsuar të ujësjellësit dhe dëmtimeve të gypave, dimrin e kaluar mbeti pa ujë për pije një kohë të gjatë, ndërsa problemet me sistemin e ujësjellësit në këtë fshat janë të shpeshta. Fshatarët ndërkohë nuk përjashtojnë mundësinë e ndërtimit të një linjë te re të ujit të pijes si alternativë në rast të paraqitjes së defekteve në rrjet. Bashkim Sulejmani