Policia ka ngritur padi penale për veprën terrorizëm ndaj pesë personave, të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë të Shkupit. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska tha se vrasjen e pesëfishtë e kanë kryer 3 persona ndërsa dy të tjerë kanë asistuar në vrasjen e pesëfishtë. Tre prej pesë personave që dyshohet se kanë kryer veprën, Jankullovska tha se janë kapur në aksionin 'Monstrum' ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati.
"Padi penale për terrorizëm është ngritur ndaj 5 personave. Ata 5 persona ngarkohen për veprën terrorizëm. Prej këtyre pesë personave, dy janë në arrati", deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
E pyetur se cili ishte roli i femrave të arrestuara, në mesin e të cilave edhe një e moshuar 60 vjeçare, Jankullovska me përgjigje se terrorizmi nuk njeh gjini.
"Historia e kriminalistikës, historia e shkencës që merret me vepra penale nuk bën dallime mes asaj a është mashkull apo femër gjatë kryerjes së veprës penale. Statistika tregon se edhe meshkujt edhe femrat paraqiten si kryerës në të gjitha veprat penale dhe mund të paraqiten si të dyshuar për gjitha veprat penale. Do të thotë roli i të gjithë personave të arrestuar është rol i personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale", u përgjigj Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Jankullovska nuk dha përgjigje nëse ndonjëri nga të arrestuarit, ka pranuar se ka kryer vrasjen e pesëfishtë, ndërsa sqaroi versionin e policisë se si është kryer vrasja e pesëfishtë.
"Sipas njohurive që kemi deri tani, tre të arrestuarit më 12.04.2012 rreth orës 20:00, në afërsi të fshatit Smillkovcë, në vendin e quajtur 'Liqeni I Smillkovcës', me marrëveshje paraprake, me përdorimin e armëve të zjarrit( 2 pushkë automatike dhe një pistoletë), kanë vrarë pesë djemtë, pas çka me veturën e tipit 'Opel Omega' ngjyrë të errët të kuqe, e kanë lëshuar vendin e ngjarjes dhe janë larguar në afërsi të vendit të quajtur 'Vrazhi Vir' dhe e kanë lënë veturën", tha Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Pas kryerjes së veprës, sipas Jankullovskës ndihmësit u kanë siguruar strehim dhe u kanë ndihmuar ilegalisht ta kalojnë kufirin në drejtim të Kosovës. Ministrja tha se në shtëpinë e 60 vjeçares në fshatin Hotël policia ka sekuestruar armatim, të cilin sipas saj e kishin shfrytëzuar anëtarët e grupit kriminel. Edhe pse ende nuk ka përfunduar procedura hetimore, prokurori i përgjithshëm Lubço Shvërgovski ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për kryerësit e veprës së pesëfishtë.
"Ligji është shumë rigoroz. Bëhet fjalë për lloj më të rëndë të veprës penale- terrorizëm, për cilën parashihet dënim maksimal, burg të përjetshëm. Shpresoj se policia në bazë të dëshmive biologjike dhe materiale do të përpilojë padi penale kualitative, të cilën do të mund ta procesuojmë në afatin sa më të shpejtë...