Kontroll karburantëve, Rama- Tolerancë zero ndaj shkelësve - Albanian Screen TV

2015-04-30 3

Tiranë - 
Të premten qeveria nis aksionin kundër abuzimit në tregun e karburanteve. Ministria e Financave, Ekonomisë, Energjitikës dhe ajo e Brendshme së bashku drejtoritë e doganave,  tatimeve dhe metrologjisë kanë formuar një mekanizëm, i cili do të monitorojë tregun 24 orë në 24. Shefi i qeverisë Edi Rama, dha detaje për këtë aksion, i cili ashtu si ai për energjinë elektrike dhe ndërtimet pa leje nuk do të përfundojë deri sa të rregullohet tregu.

"Do të merret 24 orë në 24, në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar nga dita e nesërme. Nuk do të ndalet, sepse beteja me grabitësit e pasurisë tonë kombëtare dhe me mashtruesit që u shesin qytetarëve, naftë të një cilësie të papranueshme, duke ua dëmtuar prej kaq shumë vitesh investimin e tyre në automjete, është një betejë jetike për ekonominë kombëtare dhe për ekonominë e familjeve tona, por është edhe një betejë jetike për cilësinë e mjedisit ku jetojmë", tha kryeministri.

Kontrolli do të shtrihet në 21 aspekte të sektorit, duke nisur nga importi detar e tokësor, përpunimi dhe tregtimi me shumicë e pakicë i hidrokarbureve.

"Tregtimi me shumicë, tregtimi me pakicë, procedurat e kontrollit sasior, cilësor dhe fiskal në rastet e eksportit të prodhimit vendas; Sigurisht, edhe një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm, shoqëritë e prodhimit të naftës bruto, të cilat po ashtu duhet ta marrin shumë të qartë sot mesazhin", bëri të ditur Rama.

Kryeministri i bëri thirrje kompanive që operojnë në treg të marrin seriozisht aksionin, pasi toleranca do të jetë 0.

"Ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin. Historitë që u kanë ndodhur deri më sot, qoftë të qytetarëve të thjeshtë me shkatërrimin e automjeteve të tyre, qoftë të qytetarëve në zona ku kjo industri ka bërë dëme të konsiderueshme, duhet të marrin fund. Ne do t?u japim fund, duke i dhënë secilit hakën që i takon.  Urojmë që të mos ta marrin lehtë të këtë operacion, sepse siç thashë, toleranca do të jetë zero dhe përballja me shtetin dhe me ligjin do të jetë më e ashpër se asnjëherë tjetër", vijoi Rama.

Pak javë më parë Rama u pati bërë thirrje sipërmarrësve të tregut të karburantëve që të vendosen në shinat ligjore, pasi aksioni nuk do të kursejë askënd.

Free Traffic Exchange