Tiranë -
Demokratët synojnë t'i presin rrugën personave të inkriminuar të garojnë për kryebashkiakë në 21 qershor. Kryetari i komisionit për dekriminalizimin, njëkohësisht hartuesi i kodeve të fundit zgjedhore, Oerd Bylykashi, njoftoi se PD ka dorëzuar në Kuvend të premten ndryshimet ligjore që mundësojnë këtë gjë. Dy amendamente të përkohshme në Kodin Zgjedhor që sipas tij do të ndërpresin rrugën e kriminelëve drejt bashkive.
"Në mënyrë specifike janë dy nene në kodin zgjedhor, dy nene tranzitorë, që do të bëjnë pengimin e personave të dënuar me vendim gjykate përfundimtar, për krime të rënda, krime që janë dënuar me më shumë se dy vite burg, apo për persona që janë të dënuar nga një minimum prej 6 muaj kohe për vepra penale të kryera me dashje. Sigurisht në to përfshihen dhe raste specifike si rastet e terrorizmit apo krimi i organizuar dhe janë raste nën hetim dhe personat nën masë arresti me burg apo në shtëpi", tha Oerd Bylykbashi.
Por 2 Maji është afati i fundit, kur kandidatët për kryebashkiakë duhet të regjistrohen në KQZ. "Janë amendamente që do të bëjnë të pamundur që këta persona të kandidojnë duke nisur që nga afati i regjistrimit, po dhe nëse zbulohet më pas rekordi do të humbet mandati", vijoi Bylykbashi.
Por a do të mundet parlamenti t'i miratojë këto ndryshime para 2 majit? "Sigurisht të gjitha ato vonesa që keni parë në komisionin për dekriminalizimin, qoftë bllokimin e caktimit të ekspertëve, qoftë thirrjen e ekspertëve ndërkombëtarë kanë pas qëllim vetëm këtë, që sot dikush të thotë që nuk kemi më kohë dhe për rrjedhojë të kandidojnë individë me rekorde kriminale, siç janë denoncuar nga Partia Demokratike. Por, kohën e kemi të mjaftueshme dhe asnjë lloj justifikimi nuk mund të ketë për maxhorancën për të penguar bllokimin e këtyre",vijon ai. Ndryshimet e fundit në kod u kryen vetëm pak kohë më parë. Partitë përshtatën ligjin e zgjedhjeve me hartën e re territoriale.