Tiranë -
Reforma nuk kalon. Kjo ka qënë thirrja që ka shoqëruar gjatë gjithë kohës protestën e studentëve të universitetit të Tiranës, të cilët kërkojnë mos miratimin e draftit të arsimit të lartë. Protesta e tyre nisi nga ambientet e universietit Politeknik të Tiranës, ku studentët kanë tentuar edhe të hyjnë në ambientet e universitetit, por janë ndaluar nga forcat e policisë.
Më pas protesta ka vazhduar përpara kryeministrisë, ku të rinjtë i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë kërkesat e tyre në lidhje me draftin e arsimit të lartë. Të rinjtë janë shprehur se projektligji cënon fondet publike, duke i transferuar ato tek privatët, e nga ana tjetër i penalizon studentët me tarifa tepër të larta.
Studentët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, para Parlamentit të Shqipërisë. Një ditë më parë, zv.ministri i Arsimit Arbjan Mazniku i vlerësoi protestat e të rinjëve, si mjete demokratike, por u shpreh se drafti ka marë miratimin nga qeveria dhe nuk ka asnjë arsye për kthim pas.