1 milion në marshim, harmonia jonë fetare duartrokitet në Paris

2015-01-11 26

FRANCE - Parisi i tronditur nga sulmet e njëpasnjëshme terroriste u kthye këtë të dielë në kryeqytetin e botës. Mbi 1 milion njerëz të kombësive të ndryshme dhe 56 udhëheqës botërore, përfshi dhe drejtues të besimeve fetare “pushtuan” sheshin “Republica” në marshimin e madh të solidaritetit kundër terrorizmit, në përkujtim të 17 viktimave të masakrës në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo” e dy sulmeve të tjera terroriste që e pasuan.

Liderët ndërkombëtarë të politikës, përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, iu gjendën në krah presidentit Francois Hollande në manifestimin e tolerancës dhe lirisë që ktheu vëmendjen e mbarë botës në atë që u quajt “tubim uniteti” kundrejt tërbimit terrorist.

Pas gjysmë ore, për arsye të dukshme sigurie, të gjithë liderët ndërprenë marshimin. I vetmi që qëndroi në rrugë ishte presidenti i Francës Franccois Hollande, i cili vijoi marshimin duke takuar familjarët e viktimave të sulmeve.

Me duartrokitje, brohoritje dhe pankarta në duar, një milion njerëz bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin Republika, ndërsa thërrisnin: “Unë jam Charlie, hebre, policë”, në simbol të gazetarëve të vrarë, tre policëve dhe 4 pengjeve të vrarë në supermarketin hebre. Një mesazh i fortë kundër terrorizmit erdhi nga francezët dhe qytetarët e besimeve e kombësive të ndryshme, të cilët bashkë me fëmijët kishin ardhur në shesh. Me kapuçë në formë lapsi, në mënyrë simbolike, në emër të Charlie thanë: “Unë nuk kam frikë”.

Free Traffic Exchange