Luftuan në Kosovë dhe panë krimet e kolegëve të tyre. Por, këta ish pjesëtarë të njësisë Speciale të Policisë së Serbisë, Sllobodan Stojanoviq dhe Jovan Golluboviq, kanë vendosur të rrëfehen para prokurorit për krime lufte. Ata tash janë në tretmanin e dëshmitarëve të mbrojtur, por shprehen se nuk kanë siguri. Këtë herë deklaratat i dhanë për mediat e Malit të Zi.
“Gjatë luftës në Kosovë, komandant e kishim Sreten Lukiqin”, ka thënë Stojanoviq, teksa shton se asnjëherë nuk mund të harrojë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.
“Kishte gjithçka, vrasje të fëmijëve shqiptarë. Pash kolegun që ia pret kokën civilëve, mashkullit dhe femrës, e pastaj i zinte. Ai i ka marrë pastaj kafkat dhe i dërgonte në shtëpi për të bërë llamba. Këtë e bëjnë vetëm psikopatët”, thotë Stojanoviq.
“S’jetohet me këtë”, shton miku i tij. “Isha dëshmitar i vrasjes së një plaku 80 vjeçar. E di në cilin pus e futën. E di ku janë varrezat masive, sepse unë ata njerëz i varrosa”.
Ata dy i janë drejtuar Fondit për të Drejtën Humanitare, përkatësisht Natasha Kandiqit. Dokumentet që këta i mblodhën, Kandiq i dërgon në Prokurori. Ndonëse ju premtojnë se do të mbrohen, ata në fat lihen në mëshirën e kriminelëve. Ndërsa, telashet vijnë pasi rrëfehen për televizionin B92.
“Jemi tradhtuar nga prokurori për krime lufte. Në atë moment gjithçka është kthyer kundër nesh. 15 minuta pas emisionit na kanë cingëruar telefonat. Ishin ata që i përmendem. Edhe pse fytyrat i kishim të mbuluara, e dinin që ne ishim ata që folëm në atë emision. Bile i dinin edhe detajet e padisë që kishim dhënë”, tregon Goluboviq, sipas të cilit, një polic që kishte vrarë në Kosovë e kishte kërcënuar gruan dhe vajzën e tij.
“Me veturë ia mësyu gruas dhe vajzës… e askush nga policia nuk ka reaguar”, thotë ai. “Ata nuk janë policë, por kriminelë. E di se si kanë pastruar paratë e përgjakura për të blerë qengjin e pjekur. E di se gruaja e tij mban florinj të marrë nga trupat e shqiptareve të vrara”.