PRISHTINE - Dy ditë pasi u arrestua me mbi 12 kg tritol në automjet, 46-vjeçari serb Slobodan Gavriç do të qëndrojë të paktën 30 ditë në burg. Ky është vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i dhënë mesditën e kësaj të shtune. Sipas prokurorisë, serbi me profesion veteriner dhe punonjës në Ministrinë e Bujqësisë të Serbisë dyshohet se ka pasur qëllim të kryejë sulm terrorist përmes futjes së lëndëve shpërthyese në Prishtinë. Vetë i pandehuri i ka mohuar të gjitha akuzat në sallën e gjyqit duke thënë se ka pasur qëllim vetëm shitjen e eksplozivit. Po sipas dëshmisë së tij, Kosova ka qenë thjesht vend tranzit dhe se destinacioni i lëndës shpërthyese ishte Shqipëria ku sipas tij, kishte disa lidhje biznesesh me minierat që kanë nevojë për materiale të tilla.
Mediat kosovare kanë publikuar një pjesë të kërkesës së prokurores Drita Hajdari, ku theksohet se pas pikasjes së tij në lagjen “Arbëria” dhe zbulimin e 12.219 kg eksploziv, destinacioni i radhës i serbit ishte “Grand Hotel” në qendër të Prishtinës. Por sipas raportit të Prokurores, ende nuk është zbuluar objektivi i sulmit terrorist që u arrit t parandalohej.