A1 Report - Australi, merren peng 40 persona në kafene,dyshohet sulm terrorist

2014-12-15 208

SIDNEJ - Një person i armatosur ka marrë peng disa persona në një kafene në Sidnei të Australisë. Mësohet se personi i armatosur dhe ende i paidentifikuar, ka marrë peng klientët dhe stafin e kafenesë duke shkaktuar kështu panik në radhët e qytetarëve dhe autoriteteve australiane. Sipas mediave ndërkombëtare mendohet se në lokal po mbahen peng rreth 40 persona. Policia australiane ka rrethuar lokalin dhe ka nisur negociatat me autorin, falë të cilave është bërë i mundur edhe lirimi i 3 prej pengjeve, pas rreth 6 orësh. Ajo çka është edhe më shqetësuese për autoritetet austrialiane është se dyshohet për një sulm të mundshëm terrorist. Kjo pasi në një nga dritaret e lokalit është shfaqur një flamur i zi islamik me disa mbishkrime në të. Vetë kryeministri i Australisë, Tony Abbott, ka hedhur dyshimet mbi një fakt të tillë duke u shprehur se sulmi mund të jetë i motivuar politikisht. Ndërkohë tensioni vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa policia australiane e ndodhur në vendngjarje, vijon operacionin me qëllim shpëtimin e pengjeve dhe lënien e tyre të lirë.

Free Traffic Exchange