Platini: Ndeshja Serbi-Shqipëri? Ishte e pamundur që të evitohej!

2014-10-20 1

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini foli sërish për hetimin e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku ka paralajmëruar dënime duke pranuar se do të ketë masa ndëshkuese, por duke mbrojtur institucionin që ai drejton.

Megjithatë, në një intervistë për “Bein Sports” Mishel Platini ka theksuar se ishte e pamundur të evitonte shortimin në një grup të Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo pasi sipas tij, nëse nuk do ishte shortuar me Serbinë, vendi ynë nuk duhej shortuar as me Maqedoninë apo dhe Greqinë, dhe kjo sipas Platinisë për shkak të konflikteve në Europën Lindore.

Kreu i UEFA-s, tha se për këtë po punohet me të gjitha palët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa nënvizoi se pavarësisht kësaj, ka ende probleme politike që kushtëzojnë edhe konfliktet në fushën e blertë.

“Sa i përket asaj që ndodhi në Beograd ne do të ndërhyjmë dhe do të ketë ndëshkime. Ne jemi gjatë gjithë këtyre viteve në kontakt me serbët, kroatët, kosovarët e shqiptaret. Por këtu ka probleme të mëdha politike. Në 2007, Azerbajxhani dhe Armenia, ishin në luftë dhe ndeshjet mes tyre nuk u luajtën, ndaj morëm vendimin që të mos i shortonim së bashku. Me Shqipërinë dhe Serbinë, kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Nëse Shqipërinë nuk do ta kishim vendosur në të njëjtin grup me Serbinë, atëherë nuk duhet ta shortonim as me Maqedoninë e Greqinë, dhe kjo është gati e pamundur. Ne prej kohësh jemi në kontakte me të gjitha palët, serbë, shqiptarë, kroatë, kosovarë, etj. Por është problem i madh sepse kanë telashe politike, dhe kur këto gjëra ndodhin, më trishton. Vlerësova shumë çfarë ndodhi te Lazio, ku lojtarët serbë dhe shqiptarë pozuan së bashku. Ky është futbolli i vërtete, ai që duhet të afrojë njerëzit e jo t’i largojë”.